President i Ukrainës Volodymir Zelensky ka mbërritur në Shqipëri. Avioni i tij është ulur në aeroportin e Rinasit. Zelensky, në orën 9:00 të ditës së nesërme pritet nga Rama, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Këshillit të Ministrave.
Pas pritjes, ai do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin, ndërsa do të zhvillohen dhe takime dypalëshe të delegacioneve. Më pas do të firmoset dhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës.
Në orën 11:00 do të mbërrijnë liderët e Ballkanit Perëndimor në Pallatin e Kongreseve. Gjysmë orë më vonë do të nisë samiti.
Në orën 13:00 do të realizohet fotoja familjare, ndërsa në 13:00 Rama dhe Zelensky do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për media.
Kujtojmë se për garantimin e rendit janë angazhuar Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë Rrugore, në koordinim dhe drejtim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.