Mbështetja dhe riintegrimi i familjeve dhe personave të kthyer nga emigrimi, janë në fokus të vëmendjes së Bashkisë së Shkodrës. Në funksion të këtij synimi, është edhe workshopi me temë “Shëndeti Mendor e psikologjik dhe rikthimi në vendin e origjinës” që po zhvillohet në qytetin e Shkodrës.
Grupi i ekspertëve të profesorëve nga Universiteti Psikanalitik i Berlinit dhe stafi i GIZ, fillimisht u pritën nga Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, zj. Voltana Ademi e cila shpjegoi shërbimet që janë krijuar në terren gjatë 5 viteve të fundit dhe gjithashtu sfidën e punës me komunitetet vulnerabël dhe të kthyerit nga migracioni, e mbi të gjitha rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes porfesionale për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në terren.
Gligor Stojkov, përfaqësues i DIMAK Albania, GIZ, ka thënë se qëllimi i këtij workshop-i i zhvilluar në mjediset e Qendres Rinore Atelie, është shkëmbimi i eksperiencës ndërmjet aktorëve që punojnë ngushtësisht me rastet e rikthimit dhe riintegrimit në vendin e origjinës, përmirësimi i shërbimeve ekzistuese dhe mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen, për një proces sa më të shëndetshëm riintegrimi në vendin e origjinës.
Ky është takimi i parë i këtij lloji me ekspertë të fushës sociale (psikologë dhe punonjës socialë) të cilët punojnë me personat e kthyer nga migracioni. Workshopi është organizur nga Projekti i Migracionit për Zhvillim”, GIZ Albania në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin Psikanalitik të Berlinit, Bashkinë e Shkodrës dhe Terre des Hommes, në kuadër të ndërhyrjeve të integruara në riintegrimin e personave të kthyer nga migracioni.