Thomas Brdariç është rikthyer sot në drejtimin e Vllaznisë së trajner. Tekniku kroato- gjerman ka takuar sot futbollistët e tij, të cilët morën përsipër përgjegjësitë duke kërkuar rikthimin e tij pas shkarkimit. I shoqëruar nga Blendi Dibra, “krahu i djathtë” i Alban Xhaferit, Brdariç është shfaqur paraditen e sotme në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.
Ai ka takuar futbollistët dhe kolegët e tij të stafit drejtues në dhomat e zhveshjes, për të nisur nga puna për përgatitjen e ndeshjes së radhës. Menjëherë për ndeshjes së humbur me Bylis, qarkulluan lajme kontradiktore lidhur me fatin e trajnerit në krye të Vllaznisë. Ka patur disa takime e mbledhje të gjata, ndërsa duket se vendimmarrja është arritur vetëm mëngjesin e sotëm.
Futbollistët, opinioni sportdashës por edhe specialistë të sportit, duket se kanë ndikuar për të kthyer pas shkarkimin e Brdariç. Ai tashmë rifillon aty ku e la ditën e djeshme, por pozitat e tij tanimë janë të lëkundura. Mungesa e kthesës së shpejt, rezultatet e munguara në takimet e radhës, ndoshta që nga ndeshja e Kupës, mund të sjellin shkarkimin e menjëhershëm të tij.
Megjithatë, këtë herë, marrja përsipër e përgjegjësive nga futbollistët por edhe “shkundja” e fortë dhe publike pas asaj që ndodhi me humbjen me Bylis, mund të kenë efekte pozitive në ecurinë e kuqebluve. Të paktën kështu shpresohet jo vetëm nga klubi kuqeblu por edhe dashamirët e shumtë të Vllaznisë. /Video nga StarPlus TV/