I moshuari Pjetër Gocaj, babai i dy djemve që humbën jetën gjatë kofliktit në mesnatë në Velipojë, Edmondit dhe Xhovanit, 38 dhe 25 vjeç ka folur për mediat mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në mesnatë.
Gjatë intervistës së tij për gazetarët, babai shpërthen në lot ndërsa rrëfen ngjarjen, ndërsa uron që ajo që i ka ndodhur të mos i ndodhë dikujt tjetër. Pjetër Gocaj tregon se pjesëtarët e familjes Ferracaku i kanë ardhur në derën e shtëpisë dhe i kanë qëlluar fillimisht djalin e madh, që kishte ardhur nga Anglia për të investuar në Shqipëri dhe më pas të voglin.
“Kjo që ka ndodhur mos i ndodhtë më kujt. Mua më është fikur dera e shtëpisë. Uroj që mos ti ndodhë askujt. Nuk e kuptoj si ka ndodhur konflikti, por e di që për shezllone. Më kane vrarë tek dera e shtëpisë, më kanë vrarë dy djemtë. Çfarë më duhet jeta ime! Vitin e kaluar i kam patur unë shezllonet, këtë vit ia kanë dhënë atij. Ne kemi pritur që të ndahen shezllonet sepse kanë qenë pa u ndarë ende, ata kanë ardhur dhe na vranë në shtëpi. Uroj të mos ti ndodhë më kujt se peshën e rëndë të kësaj ngjarje e kam unë mbi supe.
Asgjë nuk dimë. Më kanë vrarë djemtë. Ne i kemi vendosur shezllonet përpara se të bëhej ndarja nga shteti e shezlloneve dhe kishim në pritje kur të vendosej kjo ndarje për të shikuar se ku i kemi ne e ku i kanë ata. Ata erdhën dhe qëlluan djalin e madh, të parin që ishte me dokumente angleze dhe ka ardhur për të investuar dhe punuar. Pastaj qëlluan djalin tjetër, djali i dytë i ka qëlluar edhe ai. Kur ka ndodhur nuk kam qenë këtu, por nuk kanë ardhur për të folur përderisa kanë ardhur me armë te dera e shtëpisë. Uroj mos ti ndodhë më askujt”, rrëfen ai.