Molot e ndërtuara në Liqenin e Shkodrës, mesa duket janë të destinuara të “kapen shpesh në dorë”. Moti i keq, stuhia që është lindur nga era mbi sipërfaqen e liqenit, ka sjellë në afërsi të bregut tallaz e si rrjellojë, moloja në qendër të Shirokës, është dëmtuar.
Në një video të operatorit Kujtim Draçini, shihet se “mungon” në segment i molos, ai që lidh pjesën pluskuese në ujë me pjesën e tokës. Në rastin më të mirë është zhvendosur poshtë ujit, në rastin më t[ë keq, liqeni e ka marrë dhe futur në thellësi të tij, me gjasë, për të mos e rikthyer më.
Një skenë e ngjashme, disa kohë më parë, u shfaq tek moloja dhe u desh ndërhyrja e kompanisë kontraktore për ta riparuar, sigurisht, në dukje një problem më i vogël se i sotmi.
Teksa duket se Bashkia Shkodër nuk ka marrë akoma në dorëzim molot në bregun e liqenit të Shkodrës, nga Ura e Bunës Deri në Zogaj, do të ishte mirë të vihej dorë nga projektuesi e më pas zbatuesi, për të garantuar qendrueshmërinë e tyre përballë kohës e sidomos Liqenit të Shkodrës me mot të keq.
Molot duhet të jenë funksionale, dimër e verë sipas nevojës. Ato nuk duhet të jenë thjesht dekor apo numër sa për të shkruan në guida turistike se “Liqeni i Shkodrës ka 3 molo për ankorimin e anijeve turistike”.