Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër vijon zbatimin e planit për pastrimin e kanaleve për të përballuar sa më mirë reshjet e shiut që do të jenë gjatë sezonit të dimrit.
UKQ sh.a kësaj here u angazhua për pastrimin e një prej katër kanaleve më të mëdha që mbledh ujërat e bardha të Shkodrës, në zonën jugore të qytetit në pjesën fundore të lagjes “Mark Lula”.
Ky kanal me një gjatësi 1 kilometër është tejet i rëndësishëm pasi bën të mundur kullimin e ujërave të shiut nga rrugët dhe sheshet e një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Shkodrës në mënyrë që të mos përmbyten apo edhe uji të kullojë në mënyrë të shpejtë në rastet e reshjeve të dendura të shiut.
Drejtori teknik i UKQ sh.a, inxhinier Lazër Pema tha se kanali i ujërave të bardha ishte i mbushur jo vetëm me bimësi por edhe mbeturina të hedhura pa kriter nga persona të papërgjegjshëm. Kjo nuk do të lejohet që të ndodhë më dhe UKQ sh.a do të konstatojë rastet e ndotjes së këtij kanali për të marrë masave ndaj personave të papërgjegjshëm.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime sh.a edhe më përpara ka marrë masat e duhura duke pastruar kanale, tubacione, puseta dhe kuneta në kuadër të planit për përballimin e reshjeve të shiut gjatë dimrit. Këto ndërhyrje të UKQ sh.a do të vijojnë pa ndërprerje në shërbim të qytetarëve.