Ka përfunduar mbledhja e Shoqatës së Bashkive, në të cilën është vendosur zgjedhja e Pjerin Ndreut në krye të saj, duke zëvendësuar kësisoj nga detyra Voltana Ademin. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes Pjerin Ndreu u shpreh:
“Kjo është Asamble e Jashtëzakonshme e mbledhur sipas statutit nga 1/5 e anëtarëve. Në Asamble marrin pjesë kryetarët e bashkive, të 15 bashkive dhe kryetarët e këshillave bashkiakë. Nga 30 morën pjesë 23. Zgjodhëm ekipin drejtues të shoqatës e cila kishte dy vite që nuk mblidhej, asnjë nga anëtarët nuk vihej në dijeni. Kërkuam mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë.
Pas propozimeve dhe votimeve u zgjodh kryesia e shoqatës e përbërë nga tre vetë, unë u zgjodha kryetar. Ne nuk merremi me fantazira, në shoqata aderojnë bashkitë dhe jo kryetarët, nuk ka të bëjë me emrin e kryetarit, nuk kanë të bëjnë emrat“.
Nuk ka vonuar as reagimi i Voltana Ademit, në emër të SHBSH, përmes një publikimi në faqen e saj zyrtare në Facebook. “Shqyrtimi dhe vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, është një ndër 15 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën.
Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në Lezhën e Besëlidhjes, sot eksponentë të Partisë Socialistë tentuan të dëmtojnë Demokracinë. Sot pati një tentativë për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, veprime te ndërmarra nga eksponentë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cënon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë konsideron se demokracia lokale dhe sundimi i ligjit kanë rëndësi madhore për integrimin e vendit tonë. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është e vendosur për të vijuar deri në fund duke shprehur vullnetin e saj për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.”, shkruan Ademi.
Ndërsa më vonë, në një tjetër publikim në Facebook, Ademi shkruan: Për qytetarët që janë të interesuar për demokracinë në vend dhe rrezikun e lirive të tyre nga një kryeministër autoritarist si Edi Rama, një shpjegim i thjeshtë për të ashtuquajturin shkarkimin tim si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Nuk ka asnjë vendim të ligjshëm shkarkimi. Personat që e kanë lajmëruar ketë vendim nuk janë anëtarë të shoqatës që unë drejtoj. Siç tregon linku më poshtë, ata janë anëtarë të Shoqatës për Autonominë Vendore, e krijuar nga Edi Rama në 2010-ën. Pas votimeve të paligjshme të 30 Qershorit 2019, anëtarë të kësaj shoqate janë të 60 bashkitë që urdhërohen nga Edi Rama. Pra, edhe ato bashki, si Lezha, dikur anëtare të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, janë larguar për t’iu bashkuar shoqatës së PS.
Nga pikëpamja ligjore, vendimi i sotëm është nul, nuk ekziston për asnjë institucion serioz. Sigurisht, nuk mund të pranohet si i vlefshëm as nga Gjykata Kushtetuese, ku Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të votimeve të 30 Qershorit 2019.”, nënvizon Ademi.
Më herët Ademi u është drejtuar me një letër ambasadorëve dhe Misioneve të Huaja në vendin tonë, ku denoncon kapjen e shoqatës nga individë të PS. Kryebashkiakja e Shkodrës është shprehur se ata nuk kanë të drejtë të ndërmarrin një veprim të tillë, duke theksuar se kryetarët e rinj të bashkive nuk janë anëtarë të shoqatës.