Deputeti i opozitës parlamentare, Selami Jenisheri i ka konsideruar zgjedhjet e 25 prillit 2021 si “antikushtetuese” dhe i ka bërë thirrjes Presidentit të Republikës, Ilir Meta, që të mos i certifikojë. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti opozitar tha se KQZ ka refuzuar të bëjë detyrën e saj duke lënë pa votuar, sipas tij, 1.5 milionë emigrantë.
Ndërsa “parashikoi” se këto zgjedhje do krijojnë në shtator një situatë destabilizuese si ajo e 1997-ës.
“Me ligjin nr 118/2020 të miratuar nga ky Parlament duhet të bëheshin zgjedhjet e 25 prillit 2021, gjë që nuk ka ndodhur sepse KQZ ka refuzuar të kryejë detyrën e saj duke lënë pa votuar 1.5 milionë emigratë dhe i ka bërë këto zgjedhje antikushtetuese, që do prodhojë në shtatorin e 2021, situatë destabilizuese si ajo e 1997-ës.
Sepse nuk ka Parlament e qeveri legjitime të zgjedhur në përputhje me kodin zgjedhor të miratuar më 05.10.2020, si edhe Kushtetutën. Shpresoj që Presidenti nuk do t’i certifikojë zgjedhjet e 25 prillit 2021 si antikushtetuese dhe duhet të përsëriten zgjedhjet,”– tha Jenisheri.