Spektakli X- Factor Albania që synon evidentimin e talenteve të reja në Shqipëri, ka rinisur rrugëtimin e tij. Pas edicionit të parë në vitin 2012, TV Klan ka nisur atë që konsiderohet faza e audicioneve të përzgjedhjes fillestare të konkurrentëve, raporton ShkodraWeb.
Audicioni do të zhvillohet në disa qytete, mes të cilave edhe Shkodra. Organizatorët e evendit, të drejtuar nga regjisorja e njohur Vera Grabocka, do të jenë në Shkodër me 19 tetor, ora 11.00 në Shkollën e Mesme Artistike “Prenkë Jakova”.
Eventi X- Factor Albania, është një patentë ndërkombëtare, e mirënjohur dhe realizuar në shum media në mbarë globin. Ai shihet si një mundësi fantastike për tu evidentuar si talent dhe në përfundim të spektaklit, më të mirët kanë një karrierë artistike të garantuar.
Si çdo vit dhe në çdo event artistik, Shkodra ka spikatur me talentet e veta. Jemi të sigurtë që edhe sivjet, Shkodra do të ketë përfaqësim dinjitoz. Por hapi i parë është pjesëmarrja në audicion, me 19 tetor, ora 11.00 në Shkollën e Mesme Artistike “Prenkë Jakova”, përcjell ShkodraWeb.
Në Shkodër, eventi do të organizohet me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, në funksion të evidentimit dhe promovimit të talenteve të reja.