Ka vijuar edhe ditën e sotme shpërndarja e bazës ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e përmbytura në Bashkinë e Shkodrës. Pas Njësisë Administrative Ana e Malit ditën e djeshme, sot po punohet për mbështetjen me bazë ushqimore të siguruar nga fondet e Bashkisë Shkodër në Njësinë Administrative të Dajçit.
Në kushtet kur Ministria e Bujqësisë nuk përmbushi detyrimin për sigurimin e bazës ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e përmbytura, Bashkia e Shkodrës nisi mbështetjen me koncentrat me fondet e saj.
Kryebashkiakja Ademi ka evidentuar problemet jo vetëm në Njësitë Administrative Ana e Malit e Dajç, por edhe në Berdicë dhe Rrethina. Pavarësisht ditës me diell, situata paraqitet problematike sepse uji është i pranishëm kudo dhe mbështetje për banorët dhe fermerët, është e domosdoshme.
Ademi ka bërë thirrje për shpalljen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore, si detyrim ligjor i qeverisë, teksa ka evidentuar se prej ditësh përfaqësues të instancave shtetërore, nuk shihen as në territor.