Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, mëngjesi i kësaj të hëne është shoqëruar me përplasje në dyert e universiteteve, ku në Tiranë, në shumicën e fakulteteve nuk janë lejuar që të hyjnë studentët e pavaksinuar.
Rreth orës 10 ata pritet që të nisin grumbullimin përpara kryeministrisë ku do të kundërshtojnë vendimin për t’u lënë jashtë auditoreve. Ata shprehen se e drejta e arsimit është një e drejtë kushtetuese, dhe nuk mund të tjetërsohet nga asnjë vendim qeverie.
Edhe në Shkodër ka nisur viti akademik në Universitetin Luigj Gurakuqi, ku studentët nuk lejohen të futen nëse nuk kanë një pasaportë vaksinimi apo një test PCR. Në këtë universitet vetëm 30 % e studentëve që kanë bërë të paktën një vaksinë, ndërsa rektorja e universitetit të Shkodrës, Suzana Golemi ka bërë apel që studentët të vaksinohen.
Rektorja Golemi tha se sot studentët e pavaksinuar nuk do të lejohen të futen në auditorë, ndërsa do të behet edhe një statistikë se sa prej tyre janë pa vaksinuara. Golemi shprehet se në bazë të statistika do të merret edhe një vendim se si do të veprohet pasi nuk mund të lejojnë që studentëve t’u digjet viti akademik.
Prej mëngjesit të sotëm në të gjithë vendin, universitetet janë duke mbajtur qëndrime të ndryshme sa i takon futjes së studentëve të pavaksinuar në auditore. Në Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Durrës lejohen të hyjnë në auditore dhe studentët e pavaksinuar. Ndërkohë që në Vlorë, Shkodër dhe në Tiranë, studentët e pavaksinuar nuk do të lejohen që të hyjnë në auditore.
Studentët që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 kanë nisur nënshkrimin e një peticioni për sigurimin e testeve PCR falas për ta.