FEDERATA PAN-SHQIPTARE E AMERIKËS VATRA PROPOZON KOLONEL DRITAN DEMIRAJ – “NDERI I KOMBIT” DHE “MJESHTËR I MADH”, PËR PRESIDENT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
New York, më 12 Prill 2022
Propozim pë President të Republikës së Shqipërisë:
Drejtuar: Shkëlqesisë së Saj, Zonjës Lindita NIKOLLA
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Zotit Taulant BALLA
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
Zotit Enkelejd ALIBEAJ
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Zonjës Mesila DODA
Kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim
Zotit Agron DUKA
Kryetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim
Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Lënda: Përcillet propozim
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” organizata më e vjetër e diasporës e ndjek me vëmendje situatën si dhe zhvillimet politike në Shqipëri. Stabiliteti politik, partneriteti me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet e forta demokratike janë gjithmonë boshti i orientimit tonë kombëtar për një Shqipëri të zhvilluar.
Duke ndjekur kalendarin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë, kemi nderin e veçantë që në unanimitet të plotë të Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe të 20 degëve në të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës t`Ju propozojmë dhe të mbështesim për herë të parë një kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Sa më sipër propozojmë zotin Dritan Demiraj si kandidat për zgjedhjet presidenciale në Shqipëri.
Zoti Dritan Demiraj ka një biografi dhe aktivitet të pasur si një nga ish ushtarakët e lartë më të vlerësuar dhe të dekoruar në dekadat e fundit. Roli i tij në përfaqësimin me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim të njësive të forcave të armatosura ka bërë krenarë jo vetëm shqiptarët brenda vendit por mbarë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe punojnë në botë.
Kolonel Dritan Demiraj gjatë drejtimit të misioneve luftarake është vlerësuar maksimalisht nga institucionet më të larta të Republikës së Shqipëri, duke u vlerësuar me medaljet “Nderi i Kombit”, “Mjeshtër i Madh”, “Medaljen e Artë të Shqiponjës” si dhe është vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Gjatë viteve të fundit, zoti Dritan Demiraj ka ushtruar një aktivitet intensiv kombëtar duke qënë gjithmonë një zë i fuqishëm për të ndihmuar në fushën e sigurisë dhe të sfidave në reformimin e forcave të armatosura.
Ai mban gradën Doktor i Shkencave në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka pjekurinë e duhur dhe kualifikimet e nevojshme për të mbajtur detyrën e lartë të kreut të Shtetit Shqiptar dhe për të qenë garant i Kushtetutës dhe ligjeve.
Federata Pan Shqiptare e Amerikës “Vatra” shpreh besimin e plotë se zoti Dritan Demiraj do të jetë një President simbol i unitetit të kombit dhe një garanci e harmonizimit të politikave me aleatin tonë strategjik SHBA, dhe jo vetëm.
Duke pasur vëmendje dhe ndjeshmëri të shtuar ndaj zhvillimeve gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura ai do të jetë një garanci më e madhe në drejtim të politikave të sigurisë.
Të nderuar përfaqësues të popullit Shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë!
Federata Pan Shqiptare e Amerikës “Vatra” me mirënjohje dhe vlerësim për rolin dhe misionin Tuaj, lutet të mbështesni kandidatin e parë të propozuar nga diaspora zotin Dritan Demiraj.
Një president i zgjedhur me konsensus, mirëkuptim dhe përfaqësues i të gjithë Shqiptarëve patriotë, do të jetë mesazhi i duhur politik për situatën aktuale të Shqipërisë.
Me bindjen e thellë që propozimi jonë do të shqyrtohet dhe do të mbështetet nga ana Juaj pa dallime politike,
Me respekt dhe nderime
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”
Elmi BERISHA