Vllaznia ka realizuar mbrëmjen e kaluar (të enjtjen) një thuasje mrekulli. Kuqeblutë ia kanë dalë të përmbysin humbjen e 7 korrikut 2021 në Bosnje- Hercegovinë, duke siguruar kualifikimin për më tej në Conference League. Ka qenë një ndeshje emocionuese, ndërsa në 45 minutat e dyta mijëra tifozë në “Loro Boriçi” kanë parë një Vllazni ëndrrash në fushën e blertë.
Në përfundim të ndeshjes, kanë folur të gjithë protagonistët, duke filluar me sponsorin Alban Xhaferi deri tek shënuesi Eni Imami, i cili në fakt është futbollist i Dinamos por aktivizohet në Kupat e Europës me Vllazninë sipas marrëveshjes. Që të gjithë janë të kënaqur, madje deri në lumturi për një ndeshje që tregoi se Vllaznia e sivjetme mund dhe duhet të jetë më e fortë se edhe ajo e vitit të kaluar.