Presidenti i Republikës Ilir Meta, ndërsa ka komentuar opinionin e “Venecias” për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, tha se kjo çështje “nuk duhej të shkonte kurrë në Komision”.
Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta flet qartë, ndërsa tha se një çështje e “thjeshtë si kjo”, ka zgjatur më shumë se çdo çështje tjetër në Komisionin e Venecias.
“Kjo çështje nuk duhej të shkonte në “Venecia” sepse Kushtetuta jonë është shprehur shumë qartë, por nuk mund të ndaloja të tjerët të shkonin në Venecia, duhet të falënderoj raporterët për integritetin.
Është çështja që ka zgjatur më shumë se çdo çështje tjetër, duhej të dilte në mars, por u shty, u zgjat më shumë një çështje e thjeshtë. Kjo ka të bëjë me të ardhmen dhe kulturën e respektimit të Kushtetutës. Presidenti ka qenë dhe i mbetet besnik vetëm Kushtetutës.
Një falënderim të përzemërt të gjithë shqiptarëve që në 2 mars patën besim tek Presidenti dhe u bashkuan me të për t’i thënë ndal kapjes së Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm që ka çdo vend demokratik në botë.
Për Antishpifjen ka ndodhur një akt i paprecedentë sepse vetë Këshilli i Europës e ka çuar në “Venecia”. Kjo çështje as nuk duhej të ishte vënë fare në diskutim”, tha Meta.