“Jemi në ditën e katërt dhe procesi i vaksinimit vazhdon”, kështu është shprehur për mediat ditën e sotme Xheni Halili, drejtore e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Ajo ka shtuar se vaksinohen 250 persona në ditë, ndërsa është në përfundim vaksinimi i personelit shendetësor.
Ndërsa ka mohuar zërat për mungesë të vaksinave në Shkodër, Halili ka thënë se në fazën e parë kanë qenë 1100 vaksina, teksa pas tre javëve të gjithë këta do të marrin edhe dozën e dytë të vaksinës.
Në Pallatin e Sportit “QAzimi Dervishi”, aty ku po kryhet vaksinimi, në fundjavë do të ketë ndeshje. Për këtë arsye, ka thënë Halili, procesi do të zhvendoset në zyrat e Drejtorisë së Shendetit Publik, për tu rikthyer sërish të hënën.
Me mbylljen nesër të vaksinimit të personelit të kujdesit shendetësor në Veri të vendit, do të vijohet me moshat mbi 70 dhe 80 vjeç, ka përfunduar daljen e saj para mediave Xheni Halili, drejtore e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor. /ShkodraWeb Media/