Tom Doshi, partia e të cilit fitoi 3 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në kryeministri. Kryeministri Edi Rama i pyetur në lidhje me këtë vizitë, mohoi që të ketë zhvilluar një takim me ish-deputetin dhe ish-aleatin e tij në politikë. Rama u tha gazetarëve se ai nuk përgjon se kush futet brenda ambienteve të kryeministrisë, ndërsa shtoi se ka axhendën e tij politike.
Megjithatë ende nuk dihet arsyeja e vizitës së Doshit në kryeministri, ndërkohë që ditët e fundit në qarkun e Shkodrës, pati një debat mes Edona Bilalit dhe këshilltarëve të PS-së, qark në të cilin ish-deputeti ka ndikim të rëndësishëm politik.
Një ditë më parë kreu i qeverisë, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama emëroi drejtuese poltike në Shkodër Elisa Spiropalin. Ndërsa Edona Bilali, nga Shkodra, bashkë me Pandeli Majkon, u transferua për në qarkun e Kukësit. Këto ndryshime, Rama i quajti “pa peshë”, por në funksion të organizimit të partisë.
Ndërkohë kujtojmë se në Partinë Socialiste kanë nisur edhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të 2023.