Tifozët e Vllaznisë kanë qenë gjithmonë pranë kuqebluve në këtë sezon. Pavarësisht pamundësisë për të qenë masivisht në shkallët e stadiumit në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë, ata gjithmonë kanë gjetur mënyrën për ta mbështetur ekipin e tyre të zemrës.
Në prag të ndeshjes së rëndësishme me Tiranën në “Loro Boriçi”, ata kanë realizuar një surpizë shumë të veçantë dhe ndoshta unikale në Shqipëri. Sipërfaqja e tribunës për karshi apo e “20”- ve siç njihet, mbulohet nga një flamur gjigand kuqeblu me logon e Vllaznisë dhe imazhin e kalasë “Rozafa”. Realizimi i idesë së tifozëve dhe i banner- it është mbështetur nga ish- deputeti i PD- së Shkodër Bardh Spahia.
Bien në sy edhe shkrimet “One Team, One Dream, We believe, Fight for us”, e përkthyer në shqip “Një skuadër, një ëndërr, ne besojmë, luftoni për ne”. Sipërfaqja e këtij flamuri gjigand arrin në rreth 3000 metër katror dhe është mënyra më e mirë për të mbështetur Vllazninë. Nëse do të lejoheshin tifozë, kjo tribunë do të mbushej me tifozë, të cilët mbase do të shpalosnin mbi kokat e tyre këtë flamur. Video është realizuar nga Ardit Bajrami.
Megjithatë, ky flamur apo banner, është shprehja më e qartë e mbështetjes por edhe ajo që ëndërrojnë të gjithë tifozët e Vllaznisë: Titulli kampion të vij në Shkodër! /ShkodraWeb Media/