Policia e Vlorës ka realizuar një operacion ditën e sotme në mëngjes teksa ka zbuluar plot 1 tonë drogë dhe armë e municione.
Droga është gjetur afër Portit të Vlorës, ndërsa tre trafikantët kanë mundur të largohen.
Rreth orës 01.00 të datës 10.09.2017, në Plazh të Vjetër, në lagjen ” 1 Maji” rreth 30 m larg nga Porti i Vlorës, Efektivët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, me repartin special ”Delta Forcë”, me DVKM Vlorë dhe me GdF, nisur nga një hetim me metoda speciale për evidentimin dhe parandalimin e trafikimit të lëndëve narkotike, kanë finalizuar një tjetër operacion antidrogë të koduar ”Plazhi i vjetër”
Në një banesë private të pabanuar , janë gjetur dhe sekuestruar 49 pako të mëdha të mbështjella me natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, me peshë totale 1030 kilogramë .
Gjithashtu gjatë kontrollit në këtë banesë u gjetën dhe u sekuestruan edhe 6 armë zjarri , nga këto 3 armë Kallashnikov dhe 3 armë Pistoleta, si dhe municion luftarak.
Në afërsi të banesës në det , ndodheshin tre persona me një gomone të cilët ishin përgatitur për të transportuar lëndën narkotike drejt Italisë.
Në momentin që ka ndërhyrë Policia të tre personat G.S., A.I., J.S., janë larguar me shpejtësi të madhe me gomone në hapsirën detare.
Në ndjekie të tyre janë vënë Policia Kufitare, Delta Forcë e GdF, ku ende vijon kontrolli në det për kapjen e tyre.
Shtetasit G.S., A.I., J.S janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, dhe janë shpallur në kërkim nga ana e Policisë.
Vijon operacioni për gjetien dhe kapjen e tre shtetasve , si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale./panorama/