Shoqata e të Burgosurve dhe Dënuarve Politikë me qendër në Shkodër, kërkon që Besim Ndregjoni të votohet si Avokat i Popullit nga deputetët në Kuvendin e Shqipërisë. Kërkesa është bërë publike nga kryetari i kësaj shoqate Zenel Drangu.
Në një prezantim të kandidaturës Ndregjoni, të cilën Drangu e konsideron si intelektual, përçues i paqes dhe mbrojtës i të drejtave të ish- të përndjekurve politikë, nënvizon se familja që i përket kandidati, ka qenë e persekutuar si nga nazizmi ashtu edhe nga komunizmi.
Po ashtu, sillet në vemendje se familja Ndregjoni dhe të afërm të saj, kanë vuajtur shumë vite burg, ndërsa tre të afërm iu pushkatuan nga regjimi komunist teksa iu çmend nga torturat një tjetër familjar.
Zenel Drangu i është drejtuar 59 deputetëve të opozitës, duke i kërkuar të bëjnë demokraci me votë dhe jo me vendime politike. Siç dihet, Avokati i Popullit zgjidhet me shumicë të cilësuar në Kuvend, teksa opozita ka prezantuar si të preferuar Ledio Brahon.