“Pa ndryshimin e pasqyrave financiare dhe të buxhetit, nuk do të ketë miratim të buxhetit për KF Vllaznia sh.a.”. I përmbledhur, ishte ky qendrimi i kryetares së Këshillit Bashkiak të Shkodrës Brisela Kadija, i shprehur para gazetarëve në një konferencë për shtyp. E zhvilluar në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, konferenca e Kadisë synonte të tregonte pozicionin e Asemblesë së KF Vllaznia sh.a. lidhur me situatën e ditëve të fundit.
Pavarësisht se këto ditë të paktën publikisht nuk ka patur shenja, Kadia ka thënë se është tèntúar të përdoret politikisht situata e krijuar. Kryetarja e Keshillit Bashkiak, duke folur në cilësinë e kryetares së Asamblesë së KF Vllaznia sh.a., ka folur edhe për mungesën e Këshillit Mbikqyrës, edhe pse akoma nuk është e qartë nëse emërohet nga vetë Asambleja sipas përcaktimeve të ligjit për Shoqëritë Aksionare apo nga titullari i Bashkisë, bazuar në ligjin për qeverisjen vendore.
Ajo që u konstatua në këtë konferencë, është se Këshilli Bashkiak nuk do të ndërmarrë asnjë hap për zhbllokimin e situatës së krijuar tek Vllaznia dhe që fatmirësisht, u zgjidh me ndërhyrjen e kryebashkiakes Voltana Ademi. Sot ekipi ka dalë në stërvitje për tu përgatitur për startin e Superligës, pasi ka marrë garanci nga Ademi për rrogat dhe çeshtjet e tjera të bëra publike. Meqenëse sot kryetarja e Asamblesë së KF Vllaznia sh.a. u pozicionua, mbetet të shihet se si do të jetë vijimësia e klubit.
Ajo që i intereson tifozëve por edhe futbollistëve e punonjësve të Klubit, është rikthimi e vazhdimi i normalitetit, duke nisur nga rrogat që nuk i kanë marrë akoma. Kësaj pyetje, konferenca e sotme për shtyp e kryetares së Këshillit Bashkiak nuk i dha përgjigje. Në fakt, një alternativë mund të ishte zhvillimi i mbledhjes së Asamblesë, pranimi dhe më pas ndryshimi i pasqyrave financiare dhe buxhetit nga vetë kjo Asamble me ndihmën e ekspertit kontabël që vetë e ka emëruar, për të vijuar me miratimin e buxhetit dhe hapjen rrugë të pagesave. Statuti i KF Vllaznia sh.a. është e thjeshtë të kuptohet, siç edhe ligjet për funksionimin e SHA-ve me kapital shtetëror. /ShkodraWeb Media/