Fatjeta Barbullushi është një nga zërat më të mirë të muzikës shkodrane pas vitit 1990. Ajo spikati si interpretuese që në hapat e parë të rrugëtimit të saj artistik, ndërsa prej shumë vitesh zhvillon aktivitetin e saj jashtë vendit.
Para pak orëve, këngëtarja shkodrane ka shpërndarë në rrjetet sociale krijimin e saj më të fundit, të titulluar “Paja e nusnis”. Është thuajse një baladë- vajtim dashurie, i fatit të një vajze, lidhur me fenomenin e emigracionit.
E veçanta tjetër e këtij krijimi, është realizimi i klipit në zemër të Shkodrës, në pedonalen e Serreqit. Fatjeta, përmes këngës, shfaqet si rrëfyese e historisë, ndërsa fabula konkretizohet me interpretimin e aktorëve Lusi Bregu, Jozef Shiroka, Agron Dizdari, Anton Kaftalli, Jozefina e Natali Darragjati.
Ndërkohë, tekst & muzike janë nga Avni Qahili; orkestrim, miks e mastering nga Ebrar Mazhar dhe violine Mentor Sylejmani. Shijojeni, sepse patjetër do të jetë një nga sukseset e Fatjeta Barbullushit.