Në vijim të turit inspektues në nisje të sezonit turistik veror 2024, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit zhvilloi disa takime në Shkodër, bashki që këtë vit do të mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në pastrimin e bregdetit, si pjesë e operacionit “Plazhe të Pastra”.
Ministrja Kumbaro inspektoi vijën bregdetare të Velipojës shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali.
Ministrja Kumbaro u shpreh se në Velipojë është bërë një ndryshim shumë i dukshëm për sa i përket punës për lirimin e hapësirave publike dhe sistemimit estetik të zonës, por parashikimet për flukse turistike rreth 40% më të larta këtë sezon veror, kërkojnë një koordinim ndërinsitucional për menaxhimin e suksesshëm të tij.
“Pasi kemi bërë gjithë punën koordinuese mes dy ekipeve për sa i përket operacionit “Plazhe të pastra” që fillon që me 15 qershor deri më 15 shtator. Jam shumë e kënaqur që e mbështesim bashkinë e Shkodrës këtë vit duke dyfishuar gjithë forcat edhe ekipet njerëzore e pajisjet me pastrimin 24 orë në 24 në të shtatë ditët e javës në gjithë vijën e bregdetit. Është për t’u përgëzuar që kur e krahasoj me dy vite më parë, është një pamje komplet tjetër, sidomos për sa i përket çlrimit të hapësirave publike duke nisur nga kjo shëtitore”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci u shpreh se bashkëpunimi me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për pastrimin e vijës bregdetare, do ta ndihmojë Velipojën të arrijë standarde maksimale të pastërtisë këtë sezon.
“Lirimi i hapësirave publike ka krijuar një lloj pastrimi të mbetjeve që ka pasur përgjatë shëtitores. Sot kemi 40% plazhe publike dhe kemi krijuar një model të administrimit të plazhit publik që do të aplikohet edhe në 5 të tjera. Bashkëpunimi me Ministrinë për çështjen e pastrimit është diçka e domosdoshme dhe besoj këtë vit do të kapim standardet më të larta”, u shpreh kryebashkiaku i Shkodrës.
Ministrja Spiropali vuri në dukje rritjen turistike të shpejtë të Shkodrës si dhe rritjen e shërbimeve e investimeve në këtë sektor.
“Me rritjen e fluksit të turizëm në Shkodër që do vijë duke u shtuar me të gjitha shërbimet, vëmnedjen që i jepet, investimeve dhe sfida kjo është, të përballosh këtë fluks duke siguruar mjedisin e duhur”.
Operacioni “Plazhe të Pastra” ka hyrë në vitin e tretë të tij dhe gjatë këtij sezoni veror do të mbështesë 7 bashki në pastrimin e plazheve: Himarën, Sarandën, Vlorën, Rrogozhinën, Kavajën, Durrësin dhe Shkodrën.