Vllaznia merr tre pikë shumë të rëndësishme me Kastriotin në fushën e Kamzës. Kuqeblutë e kanë mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, duke shënuar tre gola mjaft të bukur. Kastrioti ishte një ekip gati inekzistent në një fushë të rënduar nga shiu, duke mos rrezikuar asnjëherë portën e Zogoviç.
Goli i parë për Vllazninë mban firmën e Dungës. Pak sekonda nga nisja e ndeshjes, Dunga nga krahu i djathtë i sulmit shkodran, lëshon një predhë nga brenda zonës dhe topi ndalet në rrjetën e Kastriotit.
Kalojnë vetëm 17 minuta dhe vjen goli i dytë për kuqeblutë. Një top i futur në zonë nga krahu i djathtë i sulmit shkodran, shfrytëzohet mrekullisht nga Dilaver, i cili si një sulmues race, nuk mund të gabojë.
Ndeshja acarohet mjaft nga ndërhyerjet e ashpra, sidomos të Hussein të Kastriotit. Megjithatë, ka kohë edhe për një gol tjetër. Dilaver pason mjaft mirë në krahun e majtë të sulmit të Vllaznisë për Imerin, i cili brenda zonës së rreptësisë, kalon një parabol të bukur mbi kokën e portierit vendas në minutën e 43- të. Me këtë rezultat përfundojnë 45 minutat e para. Pjesa e dytë nuk ka patur gola, edhe pse Vllaznia e ka kontrolluar vazhdimisht takimin.
Me këtë fitore, Vllaznia arrin kuotën e 16 pikëve pas 7 ndeshjeve, ndërsa në vendin e dytë ngjitet Kukësi që mundi në shtëpi Bylisin. Ndërkohë, Tirana merr tre pikët të rëndësishme në Laç, duke mundur vendasit. Po ashtu, Apolonia i shkakton humbje Skenderbeut në Fier. Deri tani, Vllaznia është ekipi me sulmin më të fortë me plot 13 gola. Të dielen, me 13 dhjetor, Vllaznia pret në Shkodër në një superndeshje Partizanin. /ShkodraWeb Media/