Vllaznia ka humbur shansin të ngjitet në krye të Superiores, 3 minuta pasi kishte përfunduar koha e rregullt dhe luhej shtesa e akorduar prej 6 minutash në ndeshjen me Partizanin në Shkodër.
Në “Loro Boriçi” janë të kuqtë që shënojnë të parët me Mba, me një gol të dyshimtë të akorduar pas verifikimeve në VAR. Një pjesë e parë që linte shumë për të dëshiruar, u zbukurua nga goli i barazimit.
Nuk është një sulmues por mbrojtësi Stojanoviç ai që kthen barazpeshën. Pas një harkimi nga krahu i djathtë i sulmit shkodran nga Kahrimanoviç, ai godet fortë me kokë dhe topi pushon në rrjetë.
Në barazim byllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, pavarësisht se jo në formë optimale, Brdariç detyrohet të aktivizojë Malajn. Pikërisht nga këmbët e tij, vjen goli i avantazhit të Vllaznisë, i cili i jepte fitoren me përmbysje por edhe kryesimin e Superligës.
Ndërsa luhej minuta e 3- të prej 6 minutave të shtesës, një topi i futur në zonë nga Taipi, preket me kokë nga Mba, i cili shënon golin e dytë personal por edhe shuan shijen e fituores pas dy humbjeve radhazi.