Kompania e pastrimit të qytetit të Shkodrës, është rikthyer në detyrë në orët e vona të mbrëmjes së kaluar (e merkurë). Kompania është rithirrur nga Bashkia Shkodër për të rikthyer normalitetin pas dy ditëve probleme me evadimin e mbetjeve urbane.
Gjatë gjithë natës, në zona të ndryshme të qytetit, kanë punuar 8 mjete dhe 4 fadroma për evadimin e mbetjeve urbane. Parashikohej punë gjatë gjithë natës, me shpresën e rikthimit të normalitetit.
Në krye të punës ishte përgjegjësi për pastrimin e qytetit i kompanisë, Henri Faci, i cili tregon punën që po bëhet por edhe vështirësitë për largimin e një sasie shumë të madhe të mbetjeve urbane të Shkodrës.
Edhe punonjësit e kompanisë së pastrimit shprehin shqetësimin e tyre. Për shkak të mosevadimit mbetjeve për 48 orë, janë krijuar pirgje të shumta me mbetje, duke rritur deri në 3 fish ngarkesën e punës për punëtorët e pastrimit.
Ata shpresojnë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, teksa në orët në vijim pritet që situata ti rikthehet gradualisht normalitetit.