Vllaznia u kualifikua në finalen e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja me Partizanin solli emocione të forta për të gjithë në fushën e blertë, shkallët e stadiumit por edhe në ambjentet ku e ndoqën tifozët kuqeblu. Këtë fakt e pranon edhe vetë presidenti i KF Vllaznia sh.a. Alban Xhaferi në një intervistë për mediat pas kualifikimit.
“Ruleta” e penalltive pas kohës shtesë, i dha të drejtë Vllaznisë, e cila u kualifikua për në finale. Trajneri i Vllaznisë Elvis Plori shprehet mjaft i kënaqur me kualifikimin e arritur, ndërsa e sheh si një premisë pozitive edhe për vijimësinë. Ai e konsideron kualifikimin edhe si zhbllokim të lojtarëve në aspektin psikologjik, duke u shprehur se nuk mund të ketë më justifikime.
Kapiteni Erdenis Gurishta dha kontributin e tij, edhe pse nuk ishte në 100% siç e deklaroi edhe para ndeshjes. Ai vlerëson mbështetjen e tifozëve, të cilët i konsideron më të mrekullueshmit në Shqipëri. Gurishta flet edhe për premion e akorduar nga presidenti Xhaferi për kualifikimin. Premio është dyfishuar krahasuar me premion e parë prej 10 mijë euro dhe për këtë Gurishta shprehet i lumtur edhe në emër të ekipit.
Akti i fundit tashmë është finalja e Kupës së Shqipërisë me 31 maj. mbizotëron optimizmi për të fituar për herë të dytë radhazi këtë trofe. Megjithatë, kapiteni Gurishta ka një tjetër objektiv. Ai shprehet se Europa duhet siguruar përmes kampionatit, për të arritur të qetë në finalen e Kupës. Gurishta sheh si mundësi vendin e tretë në Superligë, duke e thënë haptas se në Durrës do të kërkohen 3 pikët me Teutën. /ShkodraWeb/