Janë publikuar pamjet e konfliktit me armë zjarri në Tiranë që i kushtoi jetën shtetasit Jurgen Duka (Mëziri). Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në rrugën “Irfan Tomini”. Shtetasi Jurgen Duka (Mëziri), dyshohet se në gjendje të dehur, së bashku me shokun e tij shtetasin O. D., kanë hyrë në marketin që shikoni në video.
Ora shënon 01:11. Jurgeni dhe autori i vrasjes nisin një konflikt verbal para banakut të shitësit ku po bëjnë pagesën. Në debat përfshihet shoku i Jurgenit. Veç tyre në supermaket gjenden dhe tre djem të tjerë të rinj që nuk dihet nëse janë thjesht klientë apo të njohur të ndonjërit prej grupeve.
Dëshimtar është dhe shitësi. Konflikti verbal përshkallëzon në përplasje fizike. Tentohet që ti ndajnë. Por në fund viktima dhe autori shkojnë në përplasje kokë më kokë.
Në sekondën e 37-të videos së marrë nga kamerat e sigurisë, shkrepet arma. Siç mund ta shikoni në pamje njëri mbyll veshët, viktima shtrihet në tokë dhe të gjithë vrapojnë me shpejtësi përjashta.
Në fund në market mbeten viktima me shitësin, shkruan ora neës. Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë ka sekuestruar prova materiale që shërbejnë për të identifikuar autorin e ngjarjes.
Janë marrë në pyetje shoku i viktimës dhe persona të tjerë në vendngjarje. Nga ana e policisë vijon puna për identifikimin e kapjen e autorit. /Syri.net/