Aksioni, që vijon prej disa ditësh, në zbatim të planit të masave të Bashkisë Shkodër, për pastrimin e hotspoteve dhe vendgrumbullimeve ilegale të mbetjeve të ndryshme të krijuara prej kohësh, nga sot është përqendruar në Njësinë Administrative Rrethina, e pikërisht në fshatin Bardhaj. Me punonjësit dhe mjetet e shërbimeve publike janë pastruar sot dy nga pikat më të ndotura në këtë zonë.
Do të ndërhyhet më tej në 10 pika të tjera në fshatrat e kësaj njësie, Grudë e Re, Hot i Ri, Shtoj i Vjetër, Shtoj i Ri, Golem etj.
Me pastrimin e pikave të nxehta dhe me eleminimin e vendgrumbullimeve ilegale në këtë njësi, do të vendosen kontenierët në pikat e mëparshme dhe do të monitorohet e gjithë zona me qëllim frenimin dhe mos përsëritjen e fenomenit të krijimit të hotspoteve.
Bashkia Shkodër i bën thirrje banorëve dhe bizneseve të zonës, të mbajnë pastër ambientin ku ata jetojnë dhe banojnë, duke hedhur mbetjet vetëm në pikat e miratuara nga Bashkia dhe mos t’i lëvizin kontenierët.