Qatip Osmani nuk e fsheh synimin e Vllaznisë në ndeshjen me Laçin për Superligën. Edhe pse lë të nënkuptohet se nuk do të ishte i pakënaqur edhe me një barazim, ai flet edhe për 3 pikët në fushën e vështirë të Kurbinit.
Trajneri kuqeblu, në daljen e zakonshme para gazetarëve në prag të ndeshjes të së dielës, vlerëson ekipin e Laçit ndërsa thekson se kjo skuadër synon të futet në 4 ekipet e para për të diskutuar titullin kampion.
Ai kërkon të ruhet vijimësia e rezultateve pozitive e javëve të fundit, teksa kujton se përballë Laçit do të jetë një “ndeshje e rëndë”, në kuptimin e luftës së fortë sportive.
Pas barazimit me Partizanin, pritet me interes kjo ndeshje për të parë nëse kuqeblutë do të vijojnë rezultatet pozitive në rrugëtimin e tyre për “Final 4” dhe më pas, fitimin e titullit kampion.