“Do të vazhdojmë të investojmë për përmirësimin e jetës jo vetëm në Dajç por në të gjithë territorin e Bashkisë së Shkodrës”. Kështu është shprehur kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi gjatë inspektimit të rrugës së re në Samrisht të Njësisë Administrative Dajç.
Investimi me vlerë 14.5 milion lekë të reja nga të ardhurat e Bashkisë së Shkodrës, është Loti I i rikonstruksionit të rrugëve të brendshme në fshatin Samrisht, duke ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e lëvizshmërisë së njerëzve dhe mallrave në një zonë me densitet të lartë banorësh.
Projekti i Bashkisë së Shkodrës ka bërë të mundur asfaltimin në një sipërfaqe 2500 metër katror dhe në një gjatësi lineare 750 metër, ndërtimin e mureve mbrojtës, vepra arti si tombino dhe kuneta, prifilim kanalesh, vendosje bordurash për të përfunduar me sinjalistikë horizontale dhe vertikale.
Kryebashkiakja Ademi ka falënderuar banorët edhe për bashkëpunimin, duke dhënë kontribut në plotësimin me ndriçim të kësaj rruge në fshatin Samrisht të Njësisë Administrative Dajç. Ademi ka siguruar se investimet do të kenë vijimësi edhe në vitin 2020 për të përmirësuar pa ndërprerje standartet e jetesës në komunitet.