Shkolla profesionale “Hysen Cela” ka marrë masa disiplinore për mësuesen që nuk pranoi në mësim 15-vjeçarin Angjelo Gjokazaj, i cili u vra nga bashkëmoshatari i tij me thikë tre ditë më parë në Durrës. Mëngjesin e sotëm u mblodh këshilli disiplinor i shkollës dhe vendosi si masë disiplinore paralajmërim për largim nga puna për mësuesen.
Nëndrejtori i shkollës “Hysen Cela”, Enio Doka tha se këshilli disiplinor vendosi të paralajmërojë mësuesen me një masë disiplinore, pasi rregullorja e brendshme e shkollës përcakton se: Në rast se ka probleme të natyrave të ndryshme me nxënësit, mësuasja duhet të lajmërojë prindërit e tij, për ti vënë në dijeni.
Duke vijuar me tej, Doka theksoi se është thuajse i pamundur menaxhimi i nxënësve nga ana e mësuesve.
Gjatë marrjes në pyetje, mësuesja ka deklaruar se Angjelo kishte ardhur me 12 minuta vonesë ndaj edhe i kishte kërkuar të vinte me prindërit.
“Nuk kisha kë të lajmëroja, pasi babain e ka emigrant dhe nënën e ka në punë deri në orën 16.00. Ndaj i kërkova të vinte me prindërit”,- deklaroi mësuesja në mbledhjen e komisionit të disiplinës.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së premtes në Spitallë të Durrësit, ku Devi Lala qëlloi tre herë me thikë Angjelo Gjokazajn. 16-vjeçari ndërroi jetë në spitalin e Durrësit pak minuta pasi u qëllua.