Ish- të burgosur politikë, familjarë të tyre dhe shumë të pranishëm të tjerë, mes të cilëve dhe presidenti i Republikës Bajram Begaj, përkujtuan 50-vjetorin e revoltës antikomuniste të Spaçit. Ceremonia nisi me thirrjen në apel të 4 të burgosurve që u pushkatuan menjëherë si organizatorë të revoltës, vendet e të cilëve i zunë 4 të rinj.
Për Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në periudhën më të tmerrshme të komunizmit pati zëra që dolen kundër tij dhe dëshmuan që aspiratat për liri nuk ishin shuar. Sipas tij këta martirë dhe të tjerë si ata janë pjesëza historie që ende nuk kanë dalë në dritë dhe që ndikojnë me peshëhijesh për të ardhmen e vendit tonë. Ato ideale tha Begaj duhet të na motivojnë edhe sot.
Ipeshkvi i Rrëshenit, dom Gjergj Meta tha se në këtë burg mbaheshin njerëz pa të drejtë dhe vetëm sepse guxonin.
Ish-të burgosur politikë dhe familjarë të tyre rrëfejnë vuajtjet në këtë vend internimi, ndërsa përserisin apelin që ish-burgu, i cili është kthyer në një gërmadhë, të marrë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse dhe të kthehet në një muze kujtese.
Në 50- vjetorin e revoltës së Spaçit u prezantuan nëpërmjet shkrimeve të ndryshme edhe dëshmi nga të mbijetuar e familjarë të tyre, ndërsa të pranishmit panë edhe një ekspozitë që tregonte të gjithë panoramën e asaj që ndodhte në këtë burg famëkeq.