Këtë të hënë të 9 shtatorit 2024, në Postribë është përkujtuar Kryengritja Antikomuniste që mban emrin e kësaj zone të Shkodrës. Është cilësuar si e para në Europën Lindore dhe çdo vit, ajo është përkujtuar nga Bashkia e Shkodrës.
Edhe sivjet, e njëjta gjë. Të gjitha asetet e Bashkisë Shkodër, janë vënë në dispozicion të organizatorëve që përkujtimi i kësaj dite të shënuar të shkojë sa më mirë. Edhe këtë vit, pritej që kryetari i Bashkisë Shkodër, të ishte i pranishëm, në emër të institucionit që ai drejton nga 19 qershori 2023.
Këtë 9 shtator, si të kaluarin, gazetarët porositën kameramanët për “incidentin” e radhës, duke mbajtur në gatishmëri edhe celularët personalë për të fiksuar “ngjarjen” që do të bëjë “bujë” në media e portale. Çfarë pritej të ndodhte? Skenari i njohur: Thirrje kundër komunizmit, qeverisë, Edi Ramës dhe më pas, heqje e kurorave të vendosura nga kryebashkiaku, kryekeshilltari bashkiak etj.
Asnjë shmangie nga skenari, i përpiktë edhe këtë vit. Por këtë herë, disi më ndryshe, reagimi i Benet Beci, prishi disi skenarin. I buzëqeshur, i qetë, ai takohet, ndalet, bashkëbisedon me personin, i cili më pas, do të shfryjë dufin antikomunist tek disa kurora, të blera me taksat e shkodranëve, pra duke dëmtuar ekonomikisht edhe veten.
Sa për informacion, kanë vënë kurora me lule edhe deputetë e drejtues të opozitës, të shoqatave të ndryshme antikomuniste kombëtare apo vendore. Afrimi i datës së zgjedhjeve, mesa duket po rikthen fort tezën e antikomunizmit në Shkodër, edhe pse kanë kaluar 34 vite nga ndryshimi i sistemit. Pyetja më normale është: A mund të sherbejë antikomunizmi për politikën e ditës, për të prodhuar “inat” me synim votat vitin që vjen? Tash 34 vjet, kjo pyetje ka marrë shpesh përgjigje, të cilën e dinë në mbarë vendin, edhe në Shkodër!
P.S. Përgatituni, edhe për ceremonitë e 79- vjetorit vitin që vjen, do të ketë po këtë “incident” ose ndonjë tjetër me më shumë fantazi! Urojmë të mos i dalë “pronari” memorialit apo truallit ku është vendosur ai. Atëherë është problem…