Qeveria nuk ndërmend të dëmshpërblejë banorët për përmbytjet e njëpasnjëshme nga 2018- a, e fundit vetëm disa ditë më parë. Megjithatë, duket se “nuk kursehet” duke shpenzuar pak para.
Ka qenë prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni ajo që ka bërë të ditur ndihmën e ardhur nga qeveria për zonat e përmbytura në Malësi e Madhe, Shkodër, Vau Dejës dhe Pukë.
Bëhet fjalë për pako ushqimore, 1192 copë, vlera e të cilave nuk i kalon në total 400 mijë lekët. Po ashtu, janë shpërndarë detergjentë dhe një sasi minimale bazë ushqimore për bagëtinë.
“362 pako ushqimore në Malësinë e Madhe u shpërndanë sot nga Fondi i Rezervave të Shtetit.
580 pako me detergjentë, 580 pako ushqimore, 15 ton bazë ushqimore u shpërndanë në Shkodër.
250 pako në Vaun e Dejës dhe Pukë.
Bashkë me efektivët e Forcave të Armatosura të angazhuar në terren duke ndjekur procesin e shpërndarjes së ndihmave për banorët e prekur nga përmbytja duke ju gjendur krah banorëve”, shkruan Angoni në publikimin e vet në Facebook.
Në fakt, edhe pse përmbytja zgjati rreth 24 orë (pra nuk kishte emergjencë ushqimore), çdo ndihmë, e çdo lloji është e mirëpritur. Sidomos kur vjen nga Rezervat e Shtetit, të siguruara me fondet e të gjithë shqiptarëve, përmes taksave, tarifave por edhe donacioneve nga individë e shoqata.
Mirë do të ishte të dëmshpërbleheshin me para dëmet e përmbytjeve, të paktën nga ato të 2018- ës deri këto të nëntorit. Megjithatë, duke duhet harruar se po “vrapojmë” drejt zgjedhjeve të 14 majit. Çdo mjet është i vlefshëm për të arritur qëllimin, ka thënë Makiaveli dikur por edhe të tjerë sot.