Një efektiv i FNSH i ka treguar armën deputetit të PD-së, Luan Baçi gjatë momenteve të përplasjeve të forta fizike përballë Kuvendit të Shqipërisë.
ShkodraWeb ka siguruar pamjet e momentit kur efektivi me skafandër prek armën në brez dhe ia tregon deputetit. Ndërsa Luan Baçi i kthehet duke i hequr kapelen.
“Ne ishim duke hyrë brenda dhe hy policia me skafandra duke shtyrë, nxori pistoletën dhe ma vendosi tek gjoksi. Duke shtyrë, ja ata plehra që janë aty.
E nxori pistoletën, absolutisht po. E gjithë policia që është futur aty është jashtë rregullave.
Ishin shumë atje, jo vetëm unë. Me mua u përplas, me skafandrën që kisha para. E pashë armë, e kishte në brez dhe e zbuloi”, tha deputeti.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë.
Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.
Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.
Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.
Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit.
Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.
Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.