Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u inaugurua sot Terminali i ri, prej 5 mijë metër katrorë, pjesë e një investimi të përgjithshëm prej rreth 38 milionë euro të kryer në 1 vit e gjysëm, me objektivin për ta shndërruar Aeroportin e Rinasit në portën hyrëse për të gjithë rajonin.
Rriten në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet përpunuese, shtohen 8 porta të reja, hyn teknologjia në leximin e pasaportave. Të gjitha këto për të shtuar komoditetin e pasagjerëve dhe për të përballuar fluksin gjithmonë në rritje.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në inaugurimin e Terminalit të Ri së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Në përshëndetjen e mbajtur, Kryeministri u shpreh se ky është një investim i mirëseardhur, i cili vjen në kohën e duhur dhe i përgjigjet më së miri kërkesave me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të pasagjerëve.
Pjesë e rëndësishme e investimeve për Aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës janë edhe 4 vendqëndrimet e reja të avionëve dhe zbatimi i teknologjisë digjitale në leximin e pasaportave.
Kryeministri Edi Rama së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku inspektuan në terren, këto investime.