Pashko Ujka, ish-kryetar i komunës Velipojë është plagosur me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur ne qender te qytetit te Shkodres ne afersi te Katedrales Ortodokse, në vendin që në Shkodër njihet si “Dollari”.
Pashko Ujka raportohet se ka marrë plagë në shtyllën kurrizore dhe është transportuar drejt spitalit të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ujka ka qenë më herët edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Nga viti 2015, me reformën territoriale, ai është tërhequr plotësisht nga jeta publike. Në zonën ku ka ndodhur ngjarja, ka edhe banesën ish- kryekomunari.
Mësohet se kjo është hera e tretë që qëllohet me armë zjarri në drejtim të Pashko Ujkës. Dyshimet e para për plagosjen e tij, lidhen me funksionin e tij si ish- kryetar i Komunës Velipojë në periudhën 2011- 2015.
NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.