Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një vizitë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku deklaroi se do të hartohet një plan strategjik për zhvillimin e universitetit, i cili synon ta kthejë këtë universitet në një qendër strategjike rajonale të arsimit të lartë.
Gjatë takimit me rektorin, Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe pedagogët e universitetit, Ministrja Manastirliu, tha se do të nisë menjëherë puna për planin e zhvillimit të Universitetit të Shkodrës.
“Puna për planin e zhvillimit do të nisë menjëherë për strategjinë e re të Universitetit të Shkodrës 2030. Së bashku me stafin drejtues dhe pedagogët e këtij universiteti, por edhe me një ekspertizë nga diaspora akademike, do të modelojmë ofertën akademike për Universitetin e Shkodrës, për ta bërë më tërheqëse për të rinjtë e Shkodrës dhe më gjerë”, u shpreh ministrja.
Ministrja Manastirliu u ndal edhe te investimet në infrastrukturën kërkimore shkencore për universitetet, te ridimensionimi i programeve të studimeve dhe roli i ekspertizës akademike nga diaspora në procesin drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve tona.
“Ne sot jemi këtu jo vetëm për të parë nga afër investimet që kanë ndodhur, por edhe nevojën që kemi për të rritur investimet në universitet, qoftë përsa i përket laboratorëve të kërkimit shkencor, por edhe përsa i përket investimeve në raport me ndërkombëtarizimin, programet e përbashkëta, diplomat e dyfishta, të cilat kërkojnë një punë jo vetëm në aspektet e përmirësimit të mësimdhënies, por edhe në aspektet e zhvillimit të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës shkencore në universitet. Kemi bërë të mundur ngritjen e këtij laboratori të ushqimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, por kjo është vetëm faza e parë sepse do duhet të vijojmë me fazën tjetër për të patur një laborator të akredituar, një qendër ekselence që i shërben jo vetëm kërkimit shkencor për universitetin, por pse jo, edhe për shërbime që u duhen të tretëve”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja tha se është gati një dokument strategjik për politikat e arsimit të lartë, i cili synon ta udhëheqë arsimin e lartë shqiptar në drejtim të ndërkombëtarizimit.
“Shumë shpejt kemi prezantimin e Dokumentit Strategjik për politikat e arsimit të lartë, që synon të udhëheqë institucionet e arsimit të lartë në rrugën e ndërkombëtarizimit, duke e bërë arsimin e lartë në Shqipëri konkurrues, me një ofertë akademike bashkëkohor“, tha Manastirliu.