Kryeministri Edi Rama, ka publikuar sot bilancin e punëve të zgjidhura përmes platformës së bashkëqeverisjes, ku qytetarë të ndryshëm kanë gjetur përgjigje për problemet e tyre dhe kanë marrë zgjidhje. Rama thotë platforma e bashkëqeverisjes është një urë që na lidh mes nesh.
“Bashkëqeverisja nuk është slogan, po një përpjekje e mundimshme dhe e përditshme, për të thyer barrierat që për dekada janë ngritur mes qytetarit dhe zyrave të shtetit; barrierën e mospërfilljes të zyrtarucit ndaj qytetarit që kërkon një dokument; barrierën e nëpërkëmbjes së qytetarit nga zyrtaruci që kërkon një rryshfet; barrierën e mohimit të së drejtës së qytetarit, prej zyrtarucit në sportel!
Platforma e Bashkëqeverisjes është një urë që na lidh mes nesh, mbi kokat e zyrtarucëve e mbi lumin e justifikimeve, zvarritjeve, refuzimeve të administratës; nështë një mekanizëm që na bashkon kundër të keqes së futur thellë ndër dekada të tëra, në trupin e administratës; është një hapësirë ku nga bashkimi i forcave, qytetarët dhe qeveria, fitojnë mijëra e mijëra beteja të padukshme, ku pala e qytetarëve zgjidh mijëra e mijëra halle “të vogla” dhe pala e qeverisë, identifikon burime problemesh për qytetarin, e pastron nga trupi i shtetit parazitë të fshehur nën petkun e zyrtarit.
Bashkëqeverisja është një filozofi e re në ushtrimin e pushtetit dhe natyrshëm has shumë skepticizëm nga qytetarët e pengesa nga burokratët. Por kjo është një rrugë e drejtë, e mirë dhe e dobishme, prej të cilës nuk mund dhe nuk duhet të heqim dorë. Po do ta ndërtojmë me këmbëngulje të madhe e durim edhe më të e madh”– shkruan Rama, bashkëngjitur videos me të dhënat dhe bilancin e funksionimit të kësaj platforme.