Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së cannabisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Prova”.
Gjatë këtij operacioni, në një vendparkim automjetesh, në qytetin e Shkodrës, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin S. K., në automjetin e të cilit gjetën një qese me 100 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një tjetër sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 23 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 570 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra doza të kësaj lënde dhe 100 fara cannabis sativa.