Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe me punonjësit e OSHEE-së, në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si dhe për evidentimin e rasteve të abuzimit me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, bazuar në informacionet policore, kanë ushtruar kontroll në një banesë në fshatin Shpërdhet, Njësia Administrative Mamurras, rrethi Kurbin.
Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit L. N., 47 vjeç, është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Në ambientet e brendshme të banesës, u evidentua një dhomë, brenda së cilës kishte instalime elektrike me llamba, aspiratorë dhe tubacione uji, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.