Në fshatin Selcë, Malësi e Madhe, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën të kultivuara në tokë 38 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në afërsi të vendit ku u gjetën bimët, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike.
Nga kontrollet, në këtë ambient u gjetën qindra degë bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, si dhe rreth 2.6 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë boçeje. Bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe për kapjen e autorit/ëve të këtij rasti.
Gjatë kontrolleve në fshatin Dom, Pukë, në afërsi të banesës së shtetasit A. L., shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën 24 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në vazo, si dhe 201 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua shtetasi A. L., 24 vjeç, u asgjësuan nëpërmjet djegies bimët narkotike, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasia e lëndës narkotike.