Në vijim të operacionit policor të koduar “Postriba”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Uk-Bibaj, njësia administrative Postribë, Shkodër, kishte bimë narkotike të kultivuara, dhe se autorët posedonin armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar fazën e dytë të këtij operacioni.
Si rezultat i kësaj faze, u arrestuan në flagrancë shtetasit Gj. M., 54 vjeç dhe F. K, 24 vjeç, banues në Shkodër (dajë e nip).
24-vjeçari kur ka parë se shërbimet e Policisë po futen në banesën e dajës së tij, ka shkuar në drejtim të kësaj banese, me një armë zjarri në dorë, për të kundërshtuar kontrollin e banesës si dhe që shërbimet e Policisë të mos asgjësonin bimët narkotike të kultivuara nga ky shtetas dhe daja i tij, shtetasi Gj. M.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policicsë Shkodër, u bë i mundur neutralizimi dhe vënia në pranga e 24-vjeçarit, si dhe sekuestrimi i armës së zjarrit dhe i municionit luftarak. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e dajës së tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë tjetër zjarri dhe municion luftarak. Po gjatë kësaj faze të operacionit, Policia asgjësoi 1300 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara nga këta 2 shtetas.
Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në janar të këtij viti, Policia vuri në pranga shtetasin J. K., 24 vjeç, banues në fshatin Domen, Shkodër, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 armë zjarri pushkë, municion luftarak dhe 2 radio si të Policisë.