Pak orë pas paralajmërimit të kryeministrit Rama, nga veriu në jug, ka nisur sot në të gjithë vijën bregdetare në vend aksioni për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë abuzuese. Në Velipojë kanë zbarkuar grupe të Policisë së Shtetit, në krye të të cilave është vetë shefi i Komisariatit të Policisë së Shkodrës Paulin Çupi.
Mësohet se në Velipojë po bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe për ata subjekte që nuk disponojnë lejen, do t’i bëhet bllokimi i shezlongëve dhe çadrave dhe çdo gjë tjetër që lidhet me hapësirën rënore të zaptuar në shkelje të ligjit dhe VKM- ve.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike në plazhe filloi një ditë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë për shtyp, Rama paralajmëroi dje subjektet që t’i lironin vetë hapësirat e zaptuara pa leje, ose në të kundër do të largohen me pahir dhe do i konfiskohen të gjitha çadrat e shezlongët, për të mos iu kthyer më.