Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara në zbatim të planeve operacionale “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, nga strukturat e DVP Shkodër është goditur një rast në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe një rast në fushën e narkotikëve.
Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër, në rrugën “Ethem Osmani”, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Audi” me të cilin qarkullonin shtetasit R. V. dhe N. K.
Gjatë kontrollit në këtë automjet dhe kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se e posedonte shtetasi R. V. dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis që dyshohet se e posedonte shtetasi N. K.
Arma e zjarrit pistoletë dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin në pronësi të shtetasit N. K. dhe 2 celularë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasit R. V., 18 vjeç, banues në Vaun e Dejës dhe N. K., 23 vjeç, banues në Shkodër.