Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, pas një hetimi disamujor, nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Bzheta”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Prel Zefi, 30 vjeç, Albert Logu, 21 vjeç, të dy banues në Shtoj i Ri, Pllum Fusha, 37 vjeç, banues në Grudë e Re dhe Besnik Bludaj, 40 vjeç, banues në Vrak, Malësi e Madhe.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve kishin marrë informacione se këta shtetas po e transportonin lëndën narkotike nga Malësia e Dukagjinit në drejtim të Shkodrës. Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur Bzhetë, në Njësinë Administrative Shkrel, shërbimet e Policisë kanë ndaluar tre automjete që drejtoheshin nga shtetasit Besnik Bludaj, Prel Zefi. dhe Pllum Fusha. Në automjetin që drejtohej nga shtetasi Pllum Fusha ishte pasagjer shtetasi Albert Logu.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit tip furgon me drejtues shtetasin Prel Zefi, shërbimet e Policisë gjatën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 96 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 8 aparate celular dhe 3 automjete.
Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.