Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, zbardhin vrasjen e shtetasit K.H.
Sot, më datë 14.07.2018 Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me Efektivët e Sektorit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, pas një hetimi disa ditor kanë bërë të mundur gjetjen e shtetasit K.H. 34 vjeç, banues në Laç, të shpallur të humbur, i cili dyshohej se ishte vrarë.
Nga tërësia e veprimeve u bë e mundur gjetja e tij, i varrosur (fshehur) në fshatin Shelqet, Krujë.
Si rezultat i veprimeve hetimore të specializuara dhe të mirëorganizuara u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar.
U ndalua shtetasi:
• Hysni Ramaj 31 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. T.
Dy shtetasit e mësipërm,në bashkëpunim me njëri – tjetrin, më datë 05.07.2018, për motive të dobëta, dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri shtetasin K. H. , person në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar provat shkencore si më poshtë :
• pushkë model 56, kalibrit 7.62 mm me një krehër me 11 fishekë të kalibrit 7.62 mm, model 56;
• pistoletë e markës “Berreta”, kalibri 9 mm, me një krehër me 8 fishekë (dyshohet të jetë e viktimës);
• një automjet tip “Golf” (dyshohet se i përkasin viktimës);
• sende personale si: një varëse floriri, një orë dore (dyshohet se i përkasin viktimës)
• një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me dashje” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës ” parashikuar nga nenet 76, 278/2 – 25 dhe 303 të Kodit Penal. /Njoftim i Policisë së Shtetit/