Ashtu siç ishte lehtësisht e parashikueshme, Policia dhe FNSH kanë ngritur postblloqe në shumë akse të rëndësishme drejt Tiranës. Siç shihet edhe nga pamjet e EeTimes, edhe në Kryebushat të Shkodrës është ngritur një postbllok i cili bën kontrolle kryesisht të mjeteve të mëdha të transportit por edhe të veturave të vogla private. Ka qenë një urdhër i ministrit Lleshaj për të realizuar kontrolle, me shpresën se mos në “rrjetën” e policisë bien persona që konsiderohet “kontigjent policie”.
Kontrollet janë në kuadër të manifestimit të thirrur nga Presidenti Ilir Meta pasditen e sotme në Tiranë. Në fakt, edhe më herët, kur opozita organizonte protestat në Tiranë, Policia dhe FNSH organizonin kontrolle përmes postblloqeve. Mesa duket, nuk bën përjashtim as kur organizator është kreu i Shtetit, personi më i rëndësishëm në vend. Për manifestimin në Tiranë, Policia i ka dhënë vetëm dy orë leje Presidentit, ndërrsa ka angazhuar 1 mijë forca policie për rendin e qetësinë publike. Ndërkohë, Meta ka kërkuar të mos ketë prani të policisë sepse mbarëvajtja e manifestimit do të garantohet nga vullnetarë, ka thënë ai.