Si rezultat i reagimit të menjëhershëm pas kallëzimit të një shtetasi, se djali i tij e kanoste dhe e dhunonte, ndërkohë që kishte marrë urdhër mbrojtjeje nga ai, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin R. S., 37 vjeç, banues në Shkodër.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, shërbimet e Policisë kryen kontrolle në banesën e 37-vjeçarit, ku gjetën një armë imituese të armës së zjarrit.
Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se shtetasi R. S., në një ambient të marrë me qira, menaxhonte nëpërmjet kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike, llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, në të cilat postonte fyerje dhe shpifje kundrejt shtetasve të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Dhuna në familje”, “Fyerja”, “Shpifja”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.