Ditën e sotme është zhvilluar në Shkodër protesta e radhës “Drejtësi për Klodianin”, organizuar përmes rrjeteve sociale. Në orën 11.00, siç ishte paralajmëruar, në sheshin “Luigj Gurakuqi”, nisën të mblidheshin dhjetra qytetarë. Ata mbanin në duar pankarta, ndërsa ranë në sy shumë persona që ishin edhe në protestën e një jave më parë.
Ndërkohë, forcat e policisë, para nisjes së protestës, kishin marrë në mbrojtje disa institucione si Prefektura, selia e PS- së dhe Bashkia. Unifroma të shtuara, kishte edhe në ruajtje të Gjykatës së Shkallës së Parë. Ndërsa pritej që protesta të niste itinerarin e saj, janë vënë re disa persona, kryesisht adoleshentë, që kishin sjellje të çuditshme.
Madje, disa prej tyre, dyshohet se fshihnin edhe shishe me benzinë. Në këto kushte, duke i konsideruar si provokatorë, të rinjtë e pranishëm në protestë, janë distancuar menjëherë nga elementë të tillë. Jo vetëm kaq, por u vlerësua që protesta të mos niste itinerarin e saj, me dyshimin se adoleshentët ishin në rolin e provokatorëve.
Pak minuta më vonë, dy të rinjtë janë shoqëruar nga policia, ndërsa ka edhe një informacion zyrtar nga Policia e Shkodrës për këtë çeshtje. Protesta e sotme, mund të konsiderohet e heshtur, por me një mesazh të qartë për qytetarët e pranishëm por edhe të tjerë që e ndoqën nga larg atë.
NJOFTIMI I POLICISË
Sot në orën 11:00, në qendër të qytetit të Shkodrës është zhviluar një tubim i paligjshëm, ku pjesëmarrësit filluan lëvizjen nga sheshi Luigj Gurakuqi drejt pedonales së qytetit, para Prefekturës.
Shërbimet e Policisë, gjatë monitorimit të tubimit konstatuan dy të mitur 13 e 15 vjeç, të cilët kishin me vete një shishe benzinë që dyshohet se do ta përdorinin për djegie gjatë tubimit.
Të dy të mitur janë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Shkodër, ku është thirrur psikologu i DVP Shkodër dhe prindërit e tyre për veprime të mëtejshme. /ShkodraWeb Media/